Rrjeti i bandave kriminale rekrutoi adoleshentin në 80 minuta përmes Snapchat!
Një adoleshent ka treguar se si u detyrua nga kriminelët për të shitur heroinë pasi ishte rekrutuar përmes një postimi në Snapchat.
Dy vjet më parë, në moshën 14 vjeç dhe duke dashur të ikte nga shtëpia, ai iu përgjigj një mesazhi që ofron punë me pagesë cash dhe akomodim, në aplikacionin e medias sociale.
Brenda 80 minutave, një bandë e dërgoi atë diku tjetër për të shitur substancë narkotike.
Policia e Kentit tha se po përndiqnin bandat, por shtoi se prindërit gjithashtu kishin një rol të rëndësishëm për të luajtur.
Adoleshenti, i cili tha se e vuri re postimin në historinë e Snapchat të një personi tjetër, tha: “Për të qenë i sinqertë, ishte nga një tekst i thjeshtë. Brenda një ore e 20 minutash pasi komunikuam me mesazhe, ata ishin tashmë këtu.”
Djali, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, tha se ishte detyruar të fshihte substance narkotike në brendësi të trupit të tij.
“Në thelb, nëse policia do të më kërkonte të hapja krahun, ata nuk do të mund të më kontrollonin sepse jam i mitur, padyshim që kjo është arsyeja pse ata më detyruan të fshihja drogë.”
Ai tha se shiste doza të ndryshme tek të varurit, secila me vlerë 480 £ dhe shiste pesë doza në ditë.
Pas një jave, nëna e tij e gjeti dhe e shpëtoi atë me ndihmën e bamirësisë së ekipit të ndërhyrjes së bandave Refocus.
“Kur e dija se çfarë po bënte, mendova se do të merrja ndonjë nga ato telefonata ku të më komunikonin se ai kishte ndërruar jetë, për shkak të numrit të netëve që kërkova gjithandej për të dhe nuk e gjeta,”- tha ajo.
Lennox Rodgers, nga Refocus dhe gjithashtu një ish anëtar i bandës, tha se ai dinte çfarë të bënte dhe “ishte në gjendje të detyronte bandën të dilte në shesh.”
Rrjeti i bandave të tilla përdorin linja telefonike të dedikuara për të dërguar mesazhe masive te klientët dhe për të organizuar rrjete korrierësh, shpesh fëmijë dhe të rritur të pambrojtur, për të transportuar substance narkotike nga qytete të mëdha në qytete më të vogla.
‘Jashte kontrollit’
Linjat telefonike janë të markuara me emrin e një bande, duke lejuar klientët të bëjnë porosi. Tregtarët mbeten anonimë për të mos u kapur.
Nëna e djalit tha: “Ne ende po e përjetojmë traumën, të gjithë ne si familje. Kam vendosur dryne shtesë nëpër dyer. Po jetojmë një makth, edhe tani. Edhe pse djali im është i sigurt, unë ende shqetësohem nëse ai del jashtë. Këta njerëz po shpëtojnë duke ia hedhur paq. Është jashtë kontrollit.”
Udhëzimet e Snapchat thonë se aplikacioni nuk duhet të përdoret për aktivitete të paligjshme dhe përmbajtja e papërshtatshme mund të shënjestrohen lehtësisht.
Zhvilluesit e aplikacionit thanë se ata vazhdimisht kërkonin udhëzime nga ekspertët, ndërsa siguronin mbështetje brenda aplikacioneve për përdoruesit.
Det Supt Shaun White, nga Policia e Kentit, tha se forca ndërmori një qasje të tolerancës zero ndaj rrjetit të bandave dhe tregtisë së drogës, duke punuar në partneritet me Policinë Metropolitane dhe Policinë Britanike të Transportit.
Ai tha se në vitin e kaluar, forca kishte arrestuar mbi 300 njerëz, duke sjellë në më shumë se 350 akuza dhe kishte kryer 176 urdhra kërkimi, duke rezultuar në kapje të substancave narkotike, parave dhe armëve.
“Ne e dimë që rrjetet e bandave përdorin mediat sociale për të rekrutuar të rinjtë, por si përgjigje ndaj kësaj ne punojmë me ekipet tona mbrojtëse dhe partnerët tanë në autoritetin tonë lokal,”- tha ai.
“Ajo që do t’u thosha prindërve është: Shihni telefonat e fëmijëve tuaj, shihni me kë kanë të bëjnë. Kur shkojnë në shkollë, cilët janë miqtë e tyre të rinj me të cilët po ndërveprojnë?
“Fëmijët kanë më shumë se një llogari të mediave sociale dhe prindërit duhet t’i rikthehen metodës së vjetër dhe në të vërtetë të sfidojnë fëmijët e tyre se ku po shkojnë, me kë po përzihen dhe duke u kërkuar fëmijëve fjalëkalimet e tyre.”
