ChatGPT vjen me një aftësi të re
Chatbot i ChatGPT është aftësuar për të mbajtur mend, që do të thotë se do të jetë në gjendje të “kujtojë” bisedat e mëparshme për t’i bërë ato edhe më të dobishme për përdoruesit.
Funksioni i ri është aktualisht në fazën e testimit dhe është i disponueshëm për një pjesë të vogël të përdoruesve pa pagesë, ndërkohë që zgjerimi ende nuk është planifikuar. Megjithatë, kompania OpenAI thekson se më shumë detaje do të dihen së shpejti.
Në të ardhmen, përdoruesit do të mund t’i kërkojnë ChatGPT të kujtojë diçka nga e kaluara dhe të mbledhë vetë detajet. Kujtesa do të përmirësohet sa më shumë të përdoret, kështu që me kalimin e kohës përdoruesit do të vërejnë gjithnjë e më shumë ndryshime në një mënyrë pozitive.
Përdoruesit do të mund të shikojnë dhe fshijnë “kujtime” të ndryshme ose absolutisht të gjitha.
Përveç kësaj, përdoruesi do të jetë në gjendje të përdorë biseda të përkohshme pa memorie. Këto biseda nuk do të shfaqen në histori, nuk do të mbahen mend dhe nuk do të përdoren për të trajnuar modelet e OpenAI. Gjithashtu, kujtesa mund të fiket në cilësimet në çdo kohë. Megjithatë, ndërsa ky opsion është i çaktivizuar, përdoruesit nuk do të jenë në gjendje të krijojnë ose përdorin informacionin e ruajtur.
