Metaversi, teknologjia e pastër, hapësira e militarizuar: Pesë zhvillime teknologjike për t’i ndjekur gjatë vitit 2022

Nëse viti 2021 ishte vit kur bota kaloi nëpër tronditjen e shkaktuar nga COVID-19, viti 2022 do të jetë viti kur bota do të ecën mbi themelet e “normales së re” që e ka krijuar pandemia.

Dy vjet me koronavirus kanë ndryshuar mënyrën se si jetojnë njerëzit nëpër botë, nga të punuarit më të shumtë nga distanca, e deri te natyra e ndryshuar e udhëtimeve ndërkombëtare, dhe varësia në rritje nga komunikimet digjitale.

Brenda javësh, COVID-19 e shtyu botën në një të ardhme shumë të ndryshme, teksa firma globale e këshillimit McKinsey tha se gjatë tre muajve të parë të pandemisë, bota “bëri pesë vjet përpara për sa i përket përvetësimit të teknologjisë nga konsumatorët dhe bizneset”.

Në shumë mënyra, viti 2022 pritet të bëhet një version më i avancuar i ndryshimeve të shpejta të shkaktuara nga pandemia, teksa parashihen hapa edhe më të mëdhenj në teknologji.

Sipas sipërmarrësit dhe futuristit Peter Diamandis, ne do të përjetojmë progres më të madh në dekadën e ardhshme sesa në 100 vjetët e kaluar së bashku, teksa teknologjia po riformon shkencën e shëndetit dhe atë të materieve, energjinë, transportin, dhe një mori industrish dhe fushash të tjera.

“Në dhjetë vjetët e ardhshëm, ne do ta ndryshojmë çdo industri”, ka thënë Diamandis për The Guardian, gjatë një interviste të dhënë më 2020. “(Po lëvizet) edhe më shpejt, sepse po rritet numri i njerëzve që kanë qasje në teknologji, prandaj jemi në gjendje të zgjidhim edhe më shumë probleme”.

Implikimet e këtyre ndryshimeve mund të jenë të mëdha, dhe mund të prekin korporata, qeveri, dhe popuj kudo në botë.

Gjatë vitit 2022, bota parashihet të bëhet gjithnjë e më virtuale, dhe rrjedhimisht të ndryshojë gjithçka, nga moda e deri te financat.

Përparimet në teknologjinë e energjisë së pastër dhe në bioinxhinieri janë gjithashtu në horizont, dhe mund të ndihmojnë shumë në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe në trajtimin e sëmundjeve.

Hapësira, e cila tashmë po mësohet me një varg lojtarësh privatë, po bëhet gjithashtu një fushë e re për konkurrim ushtarak ndërmjet vendeve, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Tensionet politike ndërmjet Pekinit dhe Moskës gjithashtu kanë shkaktuar mungesë globale të gjysmëpërçuesve, të cilët fuqizojnë një gamë të gjerë të produkteve, dhe mund të prekin edhe zinxhirët globalë të furnizimeve.

Këto janë pesë zhvillimet e mëdha teknologjike për t’i ndjekur gjatë vitit 2022:

  • Themelet e “metaversit”
  • Teknologjia e pastër, gati për t’u zhvilluar
  • Një revolucion i bioteknologjisë
  • Mungesa e gjysmëpërçuesve
  • Hapësira e militarizuar

Postime te ngjashme