Robotët

Robotët po zëvendësojnë njerëzit duke furnizuar dyqanet në Japoni

Japonia ka popullsinë më të vjetër në botë dhe kjo po shkakton një mungesë akute të fuqisë punëtore. Me gati një të tretën e popullsisë  në moshën mbi 65-vjeç, gjetja e punëtorëve mund të jetë një sfidë.

Gjithnjë e më shumë, kompanitë po i drejtohen teknologjisë si një zgjidhje. Këtu përfshihen dy nga ekskluzivitetet më të mëdha të dyqaneve në Japoni, FamilyMart dhe Lawson, shkruan CNN. Këtë javë, Lawson vendosi robotin e tij të parë në një dyqan në Tokio.

FamilyMart provoi të njëjtët robotë muajin e kaluar. Ai thotë se planifikon që ata të punojnë në 20 dyqane të saj deri në vitin 2022, transmeton Telegrafi.

Të dy zinxhirët po vendosin një robot të quajtur Model-T, të zhvilluar nga kompania japoneze Telexistence.

Roboti në lartësinë e tij të plotë është dy metra i gjatë. Ai lëviz rreth një platforme me rrota dhe pajiset me kamera, mikrofona dhe sensorë.

Duke përdorur të tre “gishtat” në secilën prej dy duarve të tij, ai mund t’i mbushë raftet me produkte të ndryshme.

“Është në gjendje të kapë dhe të vendosë objekte të disa formave dhe madhësive të ndryshme.” – thotë Matt Komatsu, kreu i zhvillimit të biznesit dhe operacioneve në Telexistence për CNN Business.

Kjo e veçon atë nga robotët e tjerë të përdorur në dyqane. Robote të tillë janë ato të përdorura nga Walmart për të skanuar inventarin e rafteve. Një shembull tjetër janë ato që përdoren në depo për të palosur produkte të ndryshme.

Roboti Model-T kontrollohet nga stafi i dyqanit në distancë. Ai e mori emrin nga automobili Ford që nisi prodhimin e linjës së montimit në fillimin e shekullit 20.

Një njeri mban kufje me realitet virtual (VR) dhe doreza speciale që i lënë ata të “ndiejnë” në duart e tyre produktet që mban roboti. Mikrofonët dhe kufjet u lejojnë atyre të komunikojnë me njerëzit në dyqan.

Krahasuar me vendet e tjera, mungesa e fuqisë punëtore në Japoni do të thotë se tashmë mund të shohim më shumë robotë nëpër dyqane dhe kjo tashmë duket se nuk do t’i pengojë më qytetarët japonezë.

Imigracioni mund të ndihmojë gjithashtu për të mbushur mungesën.

Qeveria ka bërë disa lëvizje për të hapur Japoninë për punëtorët e huaj. Por, ekspertët argumentojnë se Japonia mbetet prapa vendeve të tjera të industrializuara në lartësimin e përfitimeve të emigrantëve për popullsinë e saj.

Gee Hee Hong, një ekonomiste në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i thotë CNN Business se emigracioni nuk ka gjasa të rritet aq sa të kompensojë plakjen e popullsisë së shpejti.

Postime te ngjashme