Meta merr edhe një hap tjetër në rivalitetin me X – së shpejti pritet të lansojë platformën e saj Threads edhe në ueb

Meta pritet që së shpejti ta lansojë ueb versionin e platformës së saj të re të rrjeteve sociale Threads, duke shpresuar që të fitojë avantazh ndaj X – ish-Twitter – pasi numri i përdoruesve të saj filloi të bjerë.

Versioni i shumëpritur i uebit do t’i bëjë Threads më të dobishëm për përdoruesit e fuqishëm si markat, llogaritë e kompanive, reklamuesit dhe gazetarët.

Meta nuk dha ndonjë datë rreth lansimit, por Adam Mosseri, kreu i Instagram, tha se kjo mund të ndodhë së shpejti, shkruan Reuters.

“Jemi afër lansimit të versionit ueb”, shkroi Mosseri në një postim në Threads të premten.

Ndërsa duke u bazuar në një raport të Wall Street Journal, lansimi mund të ndodhë gjatë kësaj jave.

Threads, e cila u lansua si një aplikacion në Android dhe iOS me 5 korrik dhe mblodhi 100 milionë përdorues në vetëm 5 ditë, pati një rënie të popullaritetit teksa përdoruesit iu rikthyen platformës X pas një nxitimi në provimin e ofertës së re të Meta-s.

Por në pak më shumë se një muaj, përdoruesit e tij aktivë ditorë në aplikacionin Android ranë në 10.3 milionë nga kulmi prej 49.3 milionë, sipas një raporti të platformës analitike Similarweb të datës 10 gusht.
Ndërkohë, menaxhmenti po lëviz me shpejtësi për të lançuar funksione të reja. Threads tani ofron mundësinë për të vendosur njoftimet e postimeve për llogaritë dhe për t’i parë ato në një lloj furnizimi kronologjik.

Së shpejti do të hapë një kërkim të përmirësuar që mund t’i lejojë përdoruesit të kërkojnë postime specifike dhe jo vetëm llogari.

Postime te ngjashme