Threads thyen rekorde, por ngre alarmin mes ekspertëve: Rrezikohen të dhënat

Kanë kaluar dy javë nga dita kur Mark Zuckerberg iu drejtua ndjekësve të tij në Instagram për t’i njoftuar, se nga kjo platformë do të lindte një rrjet tjetër social me bazë tekstin, Threads.

Në shumë pak ditë, produkti i ri i Meta-s, arriti 100 milionë përdorues, duke u bërë kështu aplikacioni më i shkarkuar i momentit. Deri më dje (18 korrik), Threads numëronte 114 milionë përdorues në të gjithë botën dhe mban vendin e parë në “Top Chart-in” e App Store dhe Google Play Store në SHBA.

Shifrat mund të ishin më të larta, por Threads nuk është aktualisht i disponueshëm në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë ndërsa platforma e re sociale thyen rekorde, shqetësimi i ekspertëve për sigurinë e të dhënave personale të përdoruesve të saj, rritet.

Meta e ka lënë aktualisht pezull lançimin e platformës në BE për shkak se mbetet ende e paqartë, nëse mënyra sesi kompania e Mark Zuckerberg i menaxhon të dhënat sensitive të përdoruesve, është në linjë me ligjet e Unionit.

Threads e bën të qartë që aplikacioni mund të mbledhë të dhëna sensitive, si kontaktet, vendndodhjen, historinë e kërkimeve në internet, shfletuesit që përdorni në internet, të dhënat shëndetësore, informacione nga GPS, e të tjera.

Por sipas Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ligjit aktual të BE, Meta duhet te marrë leje për përdorimin e të dhënave dhe duhet të vërtetojë që i trajton ato në mënyrë etike.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Erion Demiri thotë se mund të duhet kohë, por edhe përditësim i politikave të privatësisë së Meta-s, derisa Threads të jetë i disponueshëm në BE.

Për Stavro Xhardhën, inxhinier aplikacionesh që jeton në Gjermani, problemi më i madh në këtë çështje është përpunimi i të dhënave nga palë të treta.

“BE nuk do një përsëritje të Cambridge Analytica,” thotë ai teksa shton se një tjetër problem është dështimi i Instagramit, për të mbrojtur të dhënat e fëmijëve duke bërë që në platformë të krijohej një rrjet pedofilësh.

Ashtu si platformat e tjera të Meta-s, Threads mund të mbledhë aktualisht dhe do të mbledhë një sasi të madhe të dhënash nga përdoruesit, sipas ekspertëve.

Deri më tani, në këtë platformë nuk shfaqen reklama, dhe CEO i Instagram-it, Adam Mosseri ka premtuar së në Threads nuk do të promovohet “hard news” apo përmbajtje politike, një mjedis ky që gjendet jo vetëm në Facebook dhe Instagram, por edhe në atë që po konsiderohet si rivali kryesor i Threads, Twitter.

Por, për nëse për reklamat është thjesht çështje kohë, sesa do t’i shpëtojë kjo platformë diskurseve me ngjyrimeve politike dhe “hard news-it”, mbetet për t’u parë.

Sipas ekspertëve, platforma ka një algoritëm të “kuruar”, njëlloj si Facebook dhe Instagram. Kjo do të thotë se në momentin që hap aplikacionin, do të përballesh me një mori postimesh bazuar në interesat e tua, por jo sipas një rendi kronologjik. Baza është teksti, por mund të tregoheni kreativë dhe të shtoni elementë të tjerë të multimedias, numri i lejuar i karaktereve është 500 dhe për momentin mund të aksesohet vetëm nga celulari.

Mesazhe direkt platforma aktualisht nuk ka, por gjasat janë që të shtohen si opsion me kalimin e kohës.

Postime te ngjashme